Qeveria: Është nisur nga Prishtina një njësi me pompa për tërheqjen e ujit në zonat e vërshuara
Qeveria e Kosovës ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në Gjakovë e Rahovec, pas reshjeve të shumta të shiut, duke thënë se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues.
Në komunikatë thuhet se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe Zëvendësministri i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.
Në njoftim më tej thuhet se niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve. “Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”.
Në komunikatë thuhet se vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës. “Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës”.
Tutje bëhet e ditur se ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera.
Gjithashtu thuhet se është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh. “Një njësi e kërkim shpëtimit të AME-së është në gatishmëri, nëse duhet të shkojë për mbështetje, por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë”.
Sipas Kryeministrisë, Policia e Kosovës gjatë tërë kohës po qëndron pranë qytetarëve në këto komuna.
Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).
Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:
• Njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,
• Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,
• Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194./21Media