Investimi në kopshte e infrastrukturë ndikon në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, thotë se është brengosëse përqindja e grave punëkërkuese dhe ato aktive në tregun e punës në Kosovë.
Sipas saj, në vitin e fundit mbi 13 mijë gra që janë tërhequr nga tregu i punës.
“Gjithashtu në pjesëmarrje në përgjithësi, gratë janë në përqindje shumë të vogël pronare të bizneseve, vetëm 14%, përderisa përkundër normave ligjore dhe kuotës për pjesëmarrje të grave në borde të shoqërive aksionare, kjo përqindje është vetëm 12%. Do të thotë po flasim për shifra alarmante, në momentin kur ne kemi 50% të popullsisë gra dhe vajza”, tha Kusari-Lila në Start Up të RTV21.
“Arsyet janë të natyrave të ndryshme, prej atyre socio-kulturore tek ato politike, ekonomike, institucionale, elementet e krizave të dy vjetëve të fundit, domosdoshmërish që kanë lënë një ndikim”, shtoi ajo.
Deputetja theksoi se inflacioni dhe kriza energjetike do të kenë ndikim te gratë dhe bizneset.
Tutje, Kusari-Lila thotë se investimi në kopshte e infrastrukturë ndikon në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
“Investimi në kopshte, investimi në transportin publik, investimi në infrastrukturë e cila mundëson lëvizjen më të lehtë të grave. Është e domosdoshme që të rritet numri i grave aktive në tregun e punës, kjo është e para, dhe e dyta është riaftësimi apo krijimi i aftësive të cilat kërkohen në tregun e punës. Shpeshherë kur krijohen programe të veçanta për aftësim apo riaftësim të profesioneve shumë specifike, targetohen vetëm djemtë dhe burrat, ndërsa mbesin anash gratë”, tha Kusari-Lila.
E pyetur se a po përkrahen mjaftueshëm gratë në tregun e punës, deputetja tha se duhet të rriten masat dhe të punohet bashkërisht që elementi socio-kulturorë të tejkalohet./21Media

Back to top button