Haxhiu e Musliu përplasen për mërgimtarët

Mes përplasjesh ndërmjet pozitës dhe opozitës për nivelin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe edhe për pagesaën e sigurimit në kufi nga mërgimtarët, Kuvendi i Kosovës sërish u ngjall. Megjithatë me pak shumicë votash kaloi një numër projektligjesh dhe raporte financiare të buxhetit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka tentuar të “ndërmjetësojë” në formë ironizuese midis ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, pasi dy palët këmbëngulnin se kanë meritat kryesore për renditjen e Kosovës, në indeksin vjetor të sundimit te ligjit, i cili e nxori Kosovën tre vende më lart në fushën e sundimit të ligjit.
Deputetes Musliu i doli rend të kapet edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, të cilin e akuzoi për mashtrim të mërgimtarëve në lidhje me polisat kufitare.
“Jo vetëm që je mashtrues ministër, por je mashtrues recidivist, ju i keni mashtruar mërgimtarët tanë, sepse u keni thënë se do i heqim polisat, nuk do të paguani fare dhe tani i keni mashtruar sepse as tetë përqind nuk janë rimbursuar sepse ua ke pamundësuar me 100 e një mijë kushte”, tha Musliu.
Ministri Murati ndërkaq hodhi poshtë akuzat duke dhënë shifra të mërgimtarëve që kanë aplikuar për rimbursim.
“Sa i përket numrit se sa kanë qenë hyrjet, këtë informatë Ministria e Financave nuk e ka. Është informatë që e posedon Ministria e Mbrojtjes, Byroja Kosovare e Sigurimeve që i ka lëshuar polisat. Për periudhën që e keni cekur, numri i aplikantëve për rimbursim është 8 mijë e 845, por në tërësi kemi 11 mijë e 923″, tha Murati.
Seanca e Kuvendit ndërkaq vazhdoi me kritikat e opozitës. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi partinë në pushtet se po e shndërron dialogun në temë qendrore për t’i ikur problemeve konkrete. Ai përmendi Ligjin për pagat dhe në veçanti Trustin, për të cilin tha se qytetarët po presin përgjigje.
“Kjo qeveri nuk i ka kryer as tri punë, që i japin kuptim jetëve të qytetarëve”, tha Tahiri.
Kuvendi i Kosovës ndërkohë sot ka miratuar diku me shumicë të thejshtë e diku me pak më shumë vota të shumicës parlamentare ligjet mbështetjen e punëve publike, atë për vlerësimin e ndikimit në mjedis pastaj Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021./21Media

Back to top button