Zgjedhet kryesuesi dhe asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut

Nexhat Uglanin nga radhët e komunitetit boshnjak është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 14 dhjetor.
Po ashtu, janë betuar edhe 15 asamblistë të rinj. Prej tyre, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviq nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”. Ndërkaq, dy vijnë nga radhët e komunitetit boshnjak dhe të tjerët janë shqiptarë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar pas betimit të asamblistëve të rinj, duke akuzuar se shqiptarët “me forcë ligjore dhe lëvizje të njëanshme morën” ulëset në Kuvendin Komunal.
“Në këtë mënyrë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti po përpiqet të krijojë një komunë të pastër monoetnike shqiptare në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.
Në fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e kuvendeve komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.
Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.
Zyrtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Por, ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.
Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, zgjedhjet për kryetarë komunash dhe ato për kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës – të parapara të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor – janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.
Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur tensionet. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, pas arrestimit të një ish-polici serb.
Për shkak të tensioneve, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri dhe autoritetet kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak./rel

Back to top button