Krasniqi: A di të tregojë ndokush pse vetëm Kosova nuk ka material për pasaporta?

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.
Për këtë ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili thotë se Qeveria në vend se të bëjë kërkesa turpëruese drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduara, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet.

”Qeveria nuk arriti që të paktën të sigurojë material për pasaporta, afatet e të cilave shumë mërgimtarëve tashmë u kanë skaduar. Qeveria, në vend se të bëjë kërkesa turpëruese drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduara, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet. Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./21Media
Back to top button