Paralajmërimet për atentat ndaj politikanëve, reagon ambasadori francez

Ambasadori francez, Olivier Guerot i ka cilësuar si shqetësuese paralajmërimet për atentat ndaj politikanëve kosovarë që janë bërë ditëve të fundit.
Ai përmes një postimi në Twitter është shprehur optimist se rastet do të hetohen.
Shqetësuese janë lajmet për kërcënimet ndaj liderëve politikë. Jam i bindur se do të hetohen. Mbështetje e plotë për Kosovën dhe vitalitetin e saj demokratik”, shkroi ai në Twitter.
Ditë më parë,  kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të kësaj partie dyshohet se kanë marrë kërcënime.
Pas dyshimeve për kërcënim ndaj tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se po ndihet i sigurtë.
“Janë çështje të organeve të drejtësisë, ne po presim aq sa prisni edhe ju, besojmë në punën e organeve të drejtësisë. Sot kam ardhur siç kam ardhur çdo ditë, po ndihem i sigurtë si gjithmonë”- u shpreh Abdixhiku të enjten nga Kuvendi i Kosovës, para nisjes së seancës plenare.
Edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi Krasniqi, ka konfirmuar se është njoftuar nga Policia e Kosovës për kërcënimet për tentim atentat ndaj tij dhe deputetes së këtij subjekti politik, Ganimete Musliu.
Lideri opozitar ka thënë se nuk janë të frikësuar dhe i besojnë organeve të sigurisë të Kosovës./21Media

Back to top button