Osmani vizitoi komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit, zhvilloi takime me kryetarët e tyre

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi ka vizituar komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.
Në Ulqin, Presidentja Osmani u prit nga kryetari i komunës, Omer Bajraktari. Në takim me kryetarin Bajraktari, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e komunës së Ulqinit më 1999, me strehimin e vëllezërve e motrave nga Kosova gjatë periudhës së luftës.
“Ulqini është pikëtakim i shqiptarëve, pavarësisht nga vijnë ata. Me Ulqinin na lidhin jo vetëm raportet familjare, vëllazërore e miqësore, por edhe kujtesa nga ditët e vështira të historisë sonë më të re. Ulqini, Ana e Malit e shumë vendbanime të tjera në Mal të Zi më 1999 u bënë strehë për shumë kosovarë, të cilëve ju i hapët dyert dhe zemrat, ndaj në emër të qytetarëve të Kosovës, faleminderit!’ Tutje, Presidentja Osmani tha se: “Në Ulqin tashmë vijmë për të mirë, për t`i shfrytëzuar mundësitë turistike, për t`i mbajtur lidhjet dhe për t`i forcuar ato.”
Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidentja Osmani realizoi takime të ndara dhe me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi, si dhe me një grup intelektualësh e miqsh të Kosovës.
Ndërkaq në komunën e Tuzit, Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari Nik Gjeloshaj, me të cilin u diskutua për zhvillimet në këtë komunë dhe sfidat me të cilat përballen.
Presidentja Osmani shtroi nevojën e rritjes së bashkëpunimit të Ulqinit e Tuzit me institucionet lokale në Republikën e Kosovës, por edhe me institucionet qendrore, në funksion të shkëmbimit ekonomik, kulturor, turistik, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Gjatë qëndrimit në Tuz, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe bujarinë e dëshmuar në vitin 1999. Ajo foli për miqësinë e raportin unik, si dhe përkushtimin për intensifikim të bashkëpunimit në të ardhmen./21Media