Putini e akuzon Ukrainën për terrorizëm

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se një grup sabotues ukrainas hyri në një rajon kufitar rus të enjten dhe hapi zjarr ndaj civilëve.
Putini e ka quajtur këtë veprim “një akt terrorist”.
Guvernatori i rajonit Bryansk ka thënë se “diversantë nga Ukraina” kishin qëlluar mbi një makinë civile në Lyubechane, një fshat kufitar, duke vrarë dy burra dhe duke plagosur një djalë 10-vjeçar.
Kievi e mohoi me forcë pretendimin rus, shkruan BBC.
Incidenti i supozuar nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Mykhaylo Podolyak, një këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkruar në Twitter se “ky ishte një provokim klasik”, duke shtuar se “Rusia dëshiron t’i frikësojë qytetarët e saj, për të justifikuar sulmet në një shtet tjetër”.
Rusia ka raportuar më parë për disa sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në zonat kufitare ruse, duke përfshirë rajonin Bryansk. Por nuk ka pasur raporte të konfirmuara për infiltrimin e forcave tokësore të Ukrainës në Rusi./21Media