Vetëmenaxhimi mbulesë e autonomisë

Opozita ka vlerësuar se marrëveshja e Ohrit e përmban një autonomi për serbët e Kosovës dhe se termi vetëmenaxhim është një bazë për këtë. PDK-ja thotë se me këtë term, kryeministri Kurti po tenton të mbulojë diçka më keq sesa Asociacioni. Ndërsa pavarësisht mbështetjes që i ka dhënë në parim marrëveshjes, AAK-ja thotë se është e padrejtë t’u jepet një autonomi serbëve të Kosovë. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq vazhdon ta mohoj se bëhet fjalë për një autonomi.
Termi vetëmenaxhim i përfshirë në nenin shtatë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ngritur shqetësimet për një bazë të autonomisë për serbët e Kosovës.
Partia me e madhe opozitare, PDK-ja, vlerëson se marrëveshja e Ohrit përmban një autonomi për serbët e Kosovës dhe se termi vetëmenaxhim po përdoret si mbulesë.
“Nuk është që mund të paragjykojmë edhe shumë por ne friksohemi që procesi nuk shkon andej nga ne kah dëshirojmë.. por vet fakti se ky kryeministër ka qenë krejt kundër këtij procesi dhe asociacionit si Zajendicë dhe ideja që tash ta krijojë një mekanizëm si proces i dialogut me të drejta vetëqeverisje për serbët kjo është diçka që është shqetësuese kjo nënkupton se bëhet fjalë për një hapësirë vetëqeverisëse për serbët atje edhe ideja që të ndryshohet terminologjia, shpikja e termit vetëmenaxhim nënkupton që kamuflohet diçka me keq. Ajo çka e shohim tash me këtë tekst të marrëveshjes është një autonomi për serbët”, tha Zenun Pajaziti, anëtar i kryesisë së PDK-së.
Megjithëse në parim e mbështetë marrëveshjen e Ohrit, AAK-ja kërkon sqarim nga kryeministri Kurti për vetëmanxhimin duke thënë se nuk është e drejtë që serbëve të Kosovës t’u jepet një autonomi.
“Për neve nuk ka ndonjë qartësi ajo çka kemi kërkuar ne prej qeverisë ka qenë transparenca dhe të sqarohet ekzakt edhe planin edhe për aneksin sepse ne parim e shohim por saktë se din cka dialogohet. Kurti dhe qeveria duhet te sqarojë dhe saktësoj çka është vetëmenaxhimi a është asociacion a ndoshta e ka ndryshuar emrin, a janë njëjtë apo ka ndryshim sepse është e padrejtë t’u jepet një autonomi serbëve ne veri…”, tha Time Kadrijaj nga AAK.
Por partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mohojë se vetëmenaxhimi është një autonomi, për më tepër, sipas saj, ai nuk ka as bazë kushtetuese.
‘Është interpretimi më i gabueshëm, nocioni vetëmënaxhimin është nocioni më i ulët në hierarkinë e nocioneve kur bëhet fjalë për angazhime kolektive është nocion ekonomik jo politik s’ka bazë në kushtetutë dhe ligje nuk bëhet fjalë për të drejta të reja”, deklaroi Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje.
Neni shtatë i marrëveshjes të arritur më 18 Mars në Ohër, kërkon nga palët që të sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë
Për analistin politik, Visar Xani, termi vetëmenaxhim tash për tash nuk nënkupton një autonomi për serbët e Kosovës por që i njëjti duhet të faktohet.
“Një autonomi në kuptimin e plotë të fjalës nuk mund të kuptohet ashtu për shkak se një vetëmenaxhim është një kompetencë pak më e lartë sesa ajo që kemi parë deri më tash dhe ndërlidhet shumë me çështje terminologjie por që mbetet me u faktu dhe me pa realisht me dokumentu me atë se qysh e ka pa kryeministri Kurti, Serbia dhe ndërmjetësuesit”, tha Xani.
Kryeministri Kurti e ka pranuar që marrëveshja e ka Asociacionin derisa termin vetëmenaxhim e ka cilësuar si vetëmenaxhim të komunitetit serb e jo të komunave./21Media