PS çel fushatën për zgjedhjet lokale

PS çel fushatën për zgjedhjet lokale, Rama: Fitoret tona i sollën vlerë të shtuar Shqipërisë
Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) çeli sot pasdite në Tiranë fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit, me sloganin “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”. Në praninë e 61 kandidatëve të PS-së për bashkitë e vendit në sheshin “Europa” në Tiranë, kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, çeli edhe fushatën e mbjelljes së pemëve.

Në fjalën e tij, Rama deklaroi se fitoret e PS-së i sollën vlerë të shtuar Shqipërisë ndërsa kërkoi nga votuesit shqiptarë që të mos ndalin trenin e zhvillimit duke votuar për Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë, sot jemi një vend krejt tjetër në sytë e botës, na janë besuar role parësore si në OKB, sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë, janë miqësore, aktive, takimet e nivelit të lartë janë pjesë e punës si faktor me peshë në rajon, ky aspekt i transformimit ka një rëndësi për vendin, se do të thotë jo vetëm ndryshim, por ndryshim i botës së jashtme ndaj nesh dhe kjo sjellë më shumë vëmendje dhe interes, si një destinacion për të punuar, investuar dhe jetuar”, tha Rama.

Duke u ndalur tek opozita, Rama tha se Berisha dhe Meta duan të marrin peng Shqipërinë për t’i shpëtuar drejtësisë.

“Ata janë i mbyturi që të mbyt dhe slogani i tyre i vërtetë dhe i vetëm është pas nesh le të bëhet qameti. Ata duan të marrin peng sa më shumë bashki, sa më shumë Shqipëri, sa më shumë shqiptarë për ti thënë botës që pa negociuar me ta nuk bashkëpunon dot normalisht me Shqipërinë, për t’u mbrojtur nga drejtësia që vazhdon vonon, por ka gjithmonë e më pak shans që të harrojë”, vijoi Rama.

Rama tha se bashkitë që zgjedhin PS do të ecin vetëm përpara ndërsa kërkoi që të mos i besohet koalicionit mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë.

“Me ose pa ju them, Shqipëria do të ecë vetëm përpara dhe përpara do ecin ato komunitete që do ua besojnë kandidatëve tanë dhe PS-së votën e tyre. Ka një element të thjeshtë. Kandidatët tanë nuk janë të rënë nga qielli, por kemi provën që asnjëri prej tyre nuk është aq mendërisht i lënduar si ata që japin fytyrën, zërin, emrin e familjes, karrierën e tyre në dispozicion dy hijeve që turpërojnë Shqipërinë”, tha Rama.

PS ka vendosur që vetëm 16 nga 61 kryetarët aktualë të bashkive të jenë emra të rinj në listën e kandidimit për garën e 14 majit, ndërkohë që 45 të tjerë do të kenë mundësi për t’u rikandiduar për një mandat të dytë ose të tretë.

Back to top button