​Rama uron Thaçin për ditëlindje: Edhe 100 komandant

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sot feston ditëlindjen e 55-të.

Kjo është ditëlindja e tretë e Thaçit, që e gjen atë larg familjes, duke u përballur me akuzat për krime lufte në Gjykatën Speciale.

E këtë ditë, ai mori një urim të veçantë nga miku i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Sot ka qenë një ditë e vrenjtur edhe brenda meje. Zakonisht në këtë ditë të vitit jam mësuar, prej vitesh, t’i uroj ditëlindjen sivëllait tim, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe pengesa për t’ia uruar ditëlindjen një njeriu të dashur, të gjallë e të marrë peng në rrethana të njohura, jo nga forca të errëta e të panjohura, po nga Bashkësia e Lartë Ndërkombëtare, ka gjithë ditën që më rri mbi kokë si boshllëk i zymtë, thithës e lodhës. Nuk desha ta bëj në mëngjes një urim digjital me foton e me fjalët që i thuhen dikujt që edhe mund ta marrësh në telefon, nuk e di, një ngërç në fyt më pengoi, një si inat prej pafuqisë ma ndaloi. As e kam dot idenë nëse sivëllau im do të mund t’i lexojë sot këto rreshta, që as urim nuk janë edhe pse urimin që të jetojë sa malet e Shqipërisë unë po e bëj, por di me siguri që në këtë ditëlindje të Hashim Thaçit kam tërë ditën që më rri si gozhdë e ngulur në tru pyetja: A e dinin vallë ata, miqtë tanë të mëdhenj që e lindën atë gjykatë, se historia e saj do të zhvillohej kështu, kaq zymtësisht e padrejtë me njerëz që luftuan për lirinë e popullit të tyre dhe me vetë Kosovën?! Kam frikë se të vërtetën për këtë s’kam për ta marrë vesh kurrë. Po ndoshta këtë frikë e kam nga vranësira brenda meje që s’ia urova dot ditëlindjen Hashimit me telefon, siç jam mësuar prej shumë vitesh. Edhe 100 Komandant💔”, ka shkruar Rama.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 55 vjet. Për dallim nga vitet e kaluara kur ai festonte pranë familjes, kjo datëlindje Thaçin e gjen në Hagë ku po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, është presidenti i pestë i Republikës së Kosovës. Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.

Thaçi ishte gjithashtu kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai u ngrit në rend të parë si kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ndërkohë, ai shërbeu gjithashtu si kreu i një qeverie të përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999.

Back to top button