Krasniqi: Pa u gjetur edhe i zhdukuri i fundit, nuk mund të ketë drejtësi

(Lajm i përditësuar)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se në shumë familje kosovare, liria ende nuk ka ardhur. Teksa ka përmendur të pagjeturit, ai shtoi se nuk është bërë mjaftueshëm.

Krasniqi bashkë me deputetë të tjerë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

“Si çdo 27 prill, sa herë që vijmë këtu në Mejë, në lëndinën e dhembjes por edhe në lëndinën e krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojmë atë rrugëtim të rëndë dhe të vështirë të popullit tonë që dha dhe sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot. Si në çdo ditë tjetër, por ne mënyre të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm. Sa prej familjeve kosovare, liria realisht nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbardhur fati i të zhdukurit të fundit, nuk mund të ketë drejtësi”, ka thënë Krasniqi.

Haradinaj: Masakra në Mejë është tragjedia më e madhe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Në përvjetorin e masakrës ku u vranë 377 persona të pafajshëm, Haradinaj tha se të ri e të moshuar u flijuan vetën për të qenë të lirë.

“Sot me përulësi nderojmë memorialin për Mejë, ku pushojnë trupat, shpirtrat e shqiptarëve të pafajshëm. Gjithë këta janë vrarë, e vërtetë pa arsyeje dhe pa asnjë të drejtë, civilë janë ndarë nga familjet e tyre. Një pjesë e trupave të tyre janë marrë në Serbi edhe sot ka ende të pagjetur. Kjo është tragjedia më e madhe; masakra më e madhe në Kosovë. Janë 377 të vrarë, të gjitha moshave, po ashtu të dy gjinive dhe dy besimeve”, ka thënë ai.

Back to top button