“Drejtësi për krimet”, Osmani reagon pas Deklaratës për të Zhdukurit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Osmani ka thënë se fati i të zhdukurve me dhunë ka qenë për një kohë të gjatë një plagë e madhe e popullit tonë.

“Familjet të cilat vazhdojnë të kërkojnë për vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të cilët ishin zhdukur me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, dhe përmes një sistemi të sponsorizuar nga shteti për krimet e luftës dhe gjenocidin, për dy dekada kanë mbajtur këtë barrë të madhe në zemrat e tyre dhe në emër të gjithë popullit. Atyre u është mohuar në mënyrë jonjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Osmani.

Presidentja shtoi se shpreson që deklarata e rënë dakord në Bruksel do të hapë rrugën e njohjes së këtyre krimeve dhe për drejtësi, por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet të cilat kanë pasur dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme.

“Kjo deklaratë do të kërkojë implementim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëhershme, Serbia ka një histori të tmerrshme”, përfundoi Osmani.

Kosova dhe Serbia në takimin e së martës në Bruksel u pajtuan për Deklaratën për Personat e Zhdukur. Ndërkohë, diskutuan për Asociacionin dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në veri para pak ditësh./21Media

Back to top button