Borrell: Jam duke punuar për një takim urgjent Kurti-Vuçiq

(Lajm i përditësuar)
13:25-Borrell: Jam duke punuar për një takim urgjent Kurti-Vuçiq
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka konfirmuar se është duke punuar që të organizojë një takim urgjent mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq pas ngjarjeve në Veri.
“Presim nga palët që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të situatës dhe të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët. Për këtë jam duke punuar në organizimin e një takimi urgjent të nivelit të lartë”, tha ai në një konferencë për media pas takimit me presidentin malazez.
13:12-Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet e policisë rreth komunave në veri
Kosova duhet t’i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë për uljen e tensioneve, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme”, tha Borrell për gazetarët në Bruksel.
“Ne, si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, shtoi ai.
Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se i ka ftuar “ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte”.
Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normnalizimit të marrëdhënieve.