Instalohet rrjeti i ri elektrik për rreth 10 mijë banorë në fshatrat e Skenderajt

KEDS-i ka vendosur rrjetin e ri elektrik për afër 10 mijë banorë të komunës së Skenderajt.
Në kuadër të këtij planit u vendosën 1,450 shtylla të reja të betonit, 72,000 përçues elektrik, si dhe 27 transformatorë të rinj.
KEDS-i tha se ky projekt kapi shumën prej më shumë se 600 mijë eurosh, njofton rtv21.tv.
Menaxheri i këtij projekti, Burim Llugaxhiu, tha se ky investim ka qenë i domosdoshëm, në mënyrë që banorët e këtyre fshatrave të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Konsumatorët tanë të kësaj zone, përveçse kanë cilësi të lartë dhe furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, po përfitojnë edhe në aspektin e sigurisë dhe shëndetit, meqë rrjeti i vjetër elektrik është zëvendësuar komplet me një rrjet të ri”, tha ai.
Me këtë projekt të ri, tashmë po përfitojnë afër 10,000 banorë të kësaj komune, të cilët kishin ankesa edhe për numrin e vogël të shtyllave elektrike.
Ejup Gashi nga fshati Krushevc tha që përpos se nuk ka pasur shtylla të mjaftueshme, ato ishin edhe të dëmtuara, për shkak të vjetërsisë.
“Si banor i këtij fshati jam shumë i kënaqur me realizimin e këtij projekti. Falënderojmë KEDS-in që na hoqi rrjetin e vjetër dhe na instaloi të riun”, u shpreh banori.
Edhe Bahri Gashi, banor tjetër i këtij fshati, u shpreh i kënaqur me përfundimin e këtij projekti.
“Me instalimin e rrjetit të ri elektrik dhe shtyllave të reja të betonit, nuk ka ndodhur asnjë defekt deri tash. Më mirë s’ka ku shkon”, tha ai.
Përpos këtij projekti, KEDS tha se po realizon më shumë se 250 projekte tjera në mbarë Kosovën. /21Media