LDK propozon një plan për kapërcimin e izolimit e krizës

Partitë opozitare duhet të bashkohen në veprim për të ndërtuar një rrugë të tretë, për të shmangur një konfrontim të mundshëm me aleatët ndërkombëtarë.

Kështu ka deklaruar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili prezantoi një plan për, siç tha, kapërcimin e krizës dhe izolimit. Ndërkohë partitë tjera opozitare thonë se masat e paralajmëruara të BE-së nuk lidhen me rolin e opozitës por me “kursin e gabuar të qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të opozitës në vend thonë duhet të koordinojnë veprimet për të  shmangur prishjen e raporteve me partnerët ndërkombëtarë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, një postim në rrjetin e tij social, ka akuzuar qeverinë e Kosovës për, sic tha, krizën e izolimit ndërkombëtar.

“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarësh se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë”, tha Abdixhiku.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë qeveria e nuk i merr në shqyrtim propozimet e opozitës për koordinim me faktorin ndërkombëtar, për dalje nga kriza.

“Opozita gjithmonë e ka një detyre që të bëjë, ta kontrollojë qeverinë dhe qeverisjen dhe kur s’pajtohet me të, përpiqet me rrëzu. Me rrëzu një qeveri e cila është problematike. Por nëse kjo qeverisje nuk arrin me i bë 61 vota në parlament për votime, atëherë unë mendoj që sipas praktikave perëndimore kryeministri duhet të kërkojë votë besim në parlament. Ne i kemi tregu që qeveria duhet me marrë masat e veta, na s’kemi cka bashkëpunojmë sa i përket këytre cështjeve. Unë po mendoj që deri tash opozita nga të gjitha anët i ka dhënë këshilla qeverisë së Kosovë, më shumë ka qenë këshilltare sesa opozitare”, tha Haliti.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se masat e BE-së nuk lidhen me rolin e opozitës por me “kursin e gabuar të qeverisë së Kosovës.

“Ajo që dua të them është se po ashtu BE-ja nuk duhet të sanskionojë qytetarët e Kosovës përshkak se qytetarët e Kosovës nuk janë fajtor dhe nuk duhet t’i humbin beneficionet që i kanë. Jemi tu fol për 70 milionë euro të cilat do të humben prej kontratave, 200 milionë euro të cilat nuk do të hyjnë në projektin e Ballkanit Perëndimor të përbashkët. Frigohna që me këto masa po trimërohet Serbia. Ne si Aleancë jemi të bindur se kjo qeveri është duke e dobësuar Kosovën dhe nuk ka cka me bashkëpunu në këtë temë”, tha Tahiri.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa ndëshkuese si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë nëse nuk përfillin propozimet për uljen e tensioneve./21Media

Back to top button