Ardita Sinani: Serbia vazhdon të jetë shumë larg vlerave demokratike

Këshilltarja e kryeministrit, Albin Kurtit për Luginën, Ardita Sinani tha se emërimi i ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, si kryetar i Trupit Koordinues për komunat në Luginë të Preshevës, e dëshmon që Serbia vazhdon të jetë larg vlerave demokratike.
Sinani në Facebook ka shkruar se degradim është edhe emërimi i Nenad Mitroviqit në detyrën e drejtorit të këtij institucioni, të përfaqësuesit së degës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në Bujanoc.
“Pra, me pak fjalë, një qeveri me kryeministër e president nga rradhët e SNS zgjedh për kryetar një anëtarë të SNS dhe për drejtor një përfaqësues lokal të SNS. Edhe pse ky organ në bazë të Marrëveshjes merr obligim nga Qeveria e Serbisë të afirmoj të drejtat e shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, qeveria serbe e trajton si organ partiak. Duke shkelur kështu Marrëveshjen mbi parimet e riorganizimit dhe rekonstruimit të Trupit Koordinues të vitit 2009, të nënshkruar nga Qeveria e Serbisë, përfaqësuesit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe nga OSBE”, ka shkruar Sinani./21Media