Mustafa: Kryeministrit i duhet mbështetja jonë dhe duhet mbështetur!

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti të mbështetet nga masa e gjerë në trysninë që atij po i bëhet nga ana e Serbisë dhe faktorit ndërkombëtarë.

“E kaluara jonë është dëshmitare që ne gjithnjë jemi bashkuar në kohë të vështira dhe si të tillë kemi dalë fitimtarë. Kryeministri Kurti duhet të mbështetet maksimalisht në këto kohë krizash, gjithandej. Jemi një popull i vogël, por gjithnjë zemër mëdhenj në përballje me rreziqet. Gjithmonë kemi synuar paqen, por nuk ju kemi frikësuar as luftërave”, ka shkruar Mustafa në një postim në Facebook.

Mustafa tha se “duket qartë” se opozita nuk është e koordinuar dhe si duket nuk ka ndonjë rrugëdalje për të tejkaluar situatën e krijuar.

“Një gjë jam i sigurt, se pavarësisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji”, shkroi tutje komandant Remi.

Mustafa tha se ai nuk beson se cilësimi i dy organizatave ilegale të veriut si terroriste nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës të jetë bërë pa konsulta me aleatët.

“Kam miq të huaj gjithandej, e në veçanti nga SHBA që punojnë e veprojnë në Kosovë që nga viti 1996 e deri më sot. Ata ende vazhdojnë të përkrahin e mbështesin Kosovën si më parë, dhe këtë e konfirmojnë gjatë bisedave që zhvilloj me ta rregullisht. Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë sukses në ruajtjen rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të përfundojnë pandershëm. Që të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim përkrahin vendimet e institucioneve të vendit tonë, dhe mbështesin fuqishëm përpjekjet e aparatit shtetëror në vendosjen e sundimit të ligjit në secilin cep të Kosovës, duke përfshirë veriun. Politika kosovare pa dallim duhet të jetë unike përballë këtyre stuhive, sepse vetëm kështu rezulton fitimtare. Jam i sigurt se po na presin kohë të mira, ne jemi në rrugën e drejtë, kemi kapacitetet dhe mundësitë që të bëjmë më të mirën për Kosovën dhe për regjionin në përgjithësi”, përfundoi Mustafa.

Mustafa javën e kaluar njoftoi se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit. /21Media

Back to top button