Greqia mbyll për turistët Akropolin, shkak nxehtësia ekstreme

Greqia mbylli përkohësisht atraksionin e saj kryesor turistik, Akropolin, në Athinë, teksa Evropa Jugore po zhytet nën një valë masive të të nxehtit.
Temperaturat priten të arrijnë 41 gradë Celsius ditët në vijim, raporton DW, përcjell rtv21.tv.
Vendi i tempullit antik do të mbyllet gjatë orëve më të nxehta nga mesdita deri në orën 17:00, për të mbrojtur punëtorët dhe vizitorët.
Akropoli është normalisht i hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 pasdite çdo ditë.
Ditët e fundit autoritetet greke kanë marrë masa për përballimin e vapës së fortë në Akropol. Në fillim të javës, punëtorët ngritën strehimore pranë hyrjes së kompleksit. Të enjten dhe të premten, Kryqi i Kuq Helen shpërndau shishe me ujë të ftohtë për vizitorët që vuanin nga vapa..
Vende të tjera të njohura turistike që rrethojnë Shkëmbin e Shenjtë mbi të cilin ndodhet Akropoli, si Agora e Lashtë, janë vendosur të mbeten të hapura.
Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për një rrezik të shtuar të zjarreve gjatë valës së të nxehtit, dy vjet pasi Greqia u shkatërrua nga zjarret e paprecedentë. /21Media