Zvogëlimi i perceptimit për korrupsion, ATK: Forcuam mekanizmat dhe reformat

“Përmbledhja e Pulsit Publik XXIV”, publikuar nga UNDP, treon se perceptimi i qytetarëve për korrupsion në Administratën Tatimore të Kosovës është zvogëluar nga 35.30% (sa ka qenë në maj të vitit 2019) në 21.20%.
ATK tha se reflektim i këtyre rezultateve janë përmirësimi i transparencës dhe proceseve të vendimmarrjes, zvogëlimi i ndikimit të faktorit njeri, masat për parandalimin e konfliktit të interesit, edukimi dhe sanksionimi i stafit.
“Korrupsioni është një sfidë e madhe për shumë vende dhe institucione, por Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë progres të vazhdueshëm në ruajtjen dhe rritjen e besimit të publikut për këtë institucion. Kjo ka ndodhur duke forcuar mekanizmat dhe reformat në proceset kyçe të ATK-së, siç janë llogaridhënia, automatizimi i proceseve të punës, si dhe implemtimin e mbi 40 aktiviteteve të planifikuara me Planin Për Përmirësim të Integritet për vitin 2021-2023”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
ATK tha se përfshirja e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë gjithashtu ka ndihmuar në forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo përpjekje e vazhdueshme është një indikator i përkushtimit të Administratës Tatimore për një shoqëri më transparente dhe të drejtë”, thuhet tutje në komunikatë. /21Media