Asnjë zyrtarë i lartë i dyshuar për korrupsion nuk ka marrë verdiktin e fundit nga Gjykata

Dyshimet për afera të ndryshme në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe të fundit me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kanë rritur shqetësimet e njohësve të fushës me mosfunksionimin e gjykatave dhe të sistemit të drejtësisë në tërësi.
Madje sipas tyre ka 15 vite që asnjë zyrtar i lartë nuk ka marrë verdiktin e fundit nga Gjykata. E gjithë kjo sipas tyre vjen si rezultat i aktakuzave të dobëta dhe mungesës së llogaridhënës së përgjegjësve, për çka edhe kërkojnë me urgjencë që të ndodh procesi i vettingut.
Ish drejtori i Agjencisë kundër korrupsionit, Hasan Preteni, tha se aksioni i së premtes i policisë dhe prokurorisë speciale të Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe në pronën private të një afaristi, është shenjë se nuk janë hetuar me kohë rastet e dyshuara. Ai ka akuzuar organet e drejtësisë për procedura të tejzgjatura dhe mungesë ligjore.
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, akuzoi Qeverinë se nuk e ka bërë seleksionimin e kuadrove në parim të meritës dhe të profesionalizmit.
Të dy bashkëbiseduesit thonë se nuk ka vullnet politik për të luftuar dukurinë e korrupsionit. Ata i kanë bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediat./21Media