Përfundon bastisja në shtëpinë e dëshmorëve Falziu, Qerkini: ZPS mori disa dokumente

(Lajm i përditësuar)


Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë përfunduar bastisjen në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, prej ku i kanë marrë disa dokumente.

Avokati i familjes, Artan Qerkini tha se dokumentet e marra janë publike dhe se nuk ka pasur fare nevojë për bastisje të shtëpisë për të arritur deri tek këto dokumente. Derisa shtoi se nuk mund të japë detaje të tjera lidhur me atë se çfarë është bastisur.

“Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevojat e procedurave të cilat janë duke u zhvilluar pranë Dhomave të Specializuara, ndërsa detajet të mëtutjeshme në lidhje me këtë nuk kanë dhënë… Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, ata i kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, realisht nuk ka pas nevojë fare që te bastiset shtëpia për të ardhë deri te ato dokumente, sepse janë dokumente publike. Ato dokumente kanë mundur të arrihen me një kërkim të thjeshtë në institucionet publike. Trajtimi nga ata ka qenë korrekt, mirëpo me mënyrën e bastisjes kemi shumë vërejtje, sepse me bastisje cenohet privatësia… Është një, një rregullore e cila nuk na lejon që në këtë fazë të procedurës të jepen detaje në lidhje më hetimin”, tha ai.

Ai e ka quajtur të kot dhe të panevojshme bastisjen që po ndodh në shtëpinë e heronjve kombëtar, Bahri dhe Fahri Fazliut.

Sipas Qerkinit, Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje, sepse, siç tha ai, është cenim i privatësisë.

“Dhomat e Specializuara, sot kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e heronjve kombëtar Bahri dhe Fahri Fazliu. Me ç’rast janë munduar që kinse të sekuestrojnë prova të cilat atyre ju nevojiten për procedurat e mëtutjeshme, mirëpo unë jam shumë i bindur se ata nuk kanë sekuestruar asnjë provë të vetme. Ka qenë një bastisje e kotë dhe humbje kohe për të gjithë ata. Konsideroj se Gjykata duhet të jetë më kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje, sepse cenohet privatësia, në anën tjetër siç ndodhi me rastin më konkret, nuk kanë sekuestruar asnjë provë me relevancë për procedurën penale dhe për procedurat të cilat janë në rrjedhë e sipër pranë Dhomave të Specializuara”, tha Qerkini.

Kujtojmë se, bastisja ka filluar në orën 07:00 të mëngjesit nga pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.


EULEX-i bastis banesën e familjarëve të Bahri e Fahri Fazliut, reagon KMDLNj

Lidhur me bastisjen e banesës së familjarëve të heronjve, Fahri e Bahri Fazliu në Kodrën e Diellit në Prishtinë ka regauar edhe KMDLNj.

“Bastisja ka nisur rreth orës 7 të mëngjesit të sotëm. Sipas avokati Artan Qerkini bastisjet e EULEX-it në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, i ka quajtur të kota dhe të pa rëndësishme.Qerkini ka thënë se gjatë bastisjeve, nuk është sekuestruar asnjë provë, përveç disa dokumenteve të cilat kanë qenë publike. Ndërsa, për arsyen e bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk është bërë e ditur, vetëm se është bërë “për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj ka thënë se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes.


Vazhdon bastisja, flet nipi i vëllezërve Fazliu

Fahri Fazliu, nipi i heronjve Fahri dhe Bahri Fazliut, ka deklaruar se ende nuk kanë informacione për bastisjen që po ndodh në banesën e tyre.

Fazliu para mediave tha se ende nuk dihet arsyeja e bastisjes që po ndodhë nga pjesëtarë të EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

“Para rreth një ore e kam kontaktuar avokatin, Artan Çerkini, dhe më ka njoftuar se është duke u bastisur banesa e heronjve Fahri e Bahri Fazliu, ku qëndron vëllai i dy heronjve. E kanë pyetur pse, por më tha se nuk është në dijeni. Arsyeja ende nuk dihet, po presim kur të dalin. Bastisja ka filluar sipas avokatit rreth orës 07:00 në mëngjes dhe ende po vazhdon”, tha Fazliu.

Mes tjerash, Fazliu tha se nuk është lejuar të hy brenda, duke shtuar se edhe anëtarët e tjerë të familjes që kanë qenë aty janë mbyllur brenda.

“Nuk jam lejuar të hy brenda. Brenda gjendet Fadili, Bahria, Gzimi, Majlinda (motra) që është liruar se është në punë dhe të tjerët janë të mbyllur brenda në banesë. Telefonat i kanë të gjithë të mbyllur”, tha Fazliu.

Fahri Fazliu nipi i heronjve Fahri e Bahri Fazliu, në qershor të vitit 2021 kishte marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale, edhe pse në kohën e luftës ishte vetëm tetëvjeçar.


EULEX-i bastis banesën e familjarëve të Bahri e Fahri Fazliut

Pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, janë duke kryer bastisje në Prishtinë.

Bastisja ka nisur në orët e mëngjesit dhe po vazhdon në banesën e tyre në Breg të Diellit.

Lajmin e bëri të ditur Fahri Fazliu, i cili është familjari i dëshmorëve. Aty po qëndron edhe avokati i familjes Artan Çerkini./kp

Back to top button