Opozita e gatshme për zgjedhje të reja, por pa numra për rrëzimin e Qeverisë

Tash sa kohë kryefjalë e partive opozitare është shkuarja në zgjedhje të reja në nivel vendi dhe rrëzimi i qeverisë aktuale për siç, thuhet skandalet e njëpasnjëshme dhe gjendjen e rënduar në të cilën e ka futur vendin.
Për shkuarjen në zgjedhje të reja qytetarët kanë mendime të ndryshme.
“Po ka nevojë për zgjedhje janë plotësuar kushtet dhe nuk ka ndryshe si”.
“Jo s’ka nevojë. Unë jam i kënaqur me punën e qeverisë dhe nuk ka nevojë me pas kurrëfar zgjedhje të reja për momentin”.
Partia më e madhe opozitare, PDK-ja ndërkaq vlerëson se zgjedhjet e reja në vend janë të domosdoshme por megjithatë deputeti i saj Hajdar Beqa e pranon se nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë.
“PDK-ja është gjithmonë e gatshme për zgjedhje ne mendojmë që në rrethanat që është Kosova është e domosdoshme të shkojmë në zgjedhje dhe ta kthejmë legjitimitetin tek qytetarët…Kemi një qeveri të dobët s’ka strategji dhe ka dështuar si në arenën ndërkombëtare si brenda vendit. Këtu s’kemi metodë përveç asaj që duhet t’i kesh numrat për ta rrëzuar qeverinë. Realisht opozita si ka numrat sepse duhet t’i ket 61 numra për me rrëzu qeverinë por besoj se qeveria në një apo formë tjetër është drejt rrëzimit. Vonim mund të ketë por shpetim jo”, tha Beqa për RTV21.
Zgjedhje të reja në vend po kërkon edhe AAK-ja e cila iniciuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, por që i njëjti ende është në nivel diskutimesh mes subjekteve opozitare. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se për mocionin ka një mirëkuptim të partive të tjera opozitare por që shqetësim i tyre është mungesa e numrave. Sipas tij, vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja.
“Mocioni do të ishte zgjidhja më e mirë dhe është demokraci s’do të ketë pasoja por duhet të bëhet fillimisht bashkë opozita shpresojmë që do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët me opozitën, PDK-në e LDK-në. Ka një mirëkuptim për mocionin, kryesisht dominon shqetësimi për mungesën e votave tjera por ajo është një etapë tjetër ne duhet ta kryejm etapën e parë si opozite e pastaj t’i kërkojmë votat që na mungojnë. Në Kosovë pas zgjedhjeve që thatë ju a jeni të gatshëm për zgjedhje besoj duhet te krijohet një koalicion fitues nga opozita pra mos të shkojmë të gjithë një nga një si parti opozitare por ta gjejmë një formulë për t’i dhënë Kosovës një opsion për këtë kohë dmth nëse zgjedhjet ishin mbajt shumë më vonë edhe mund të ndodh që ndonjëra nga partitë arrijnë ta mundin Kurtin dhe VV-në por në kohën e tashme ishte dashur të krijohet një koalicion fitues i zgjedhjeve. Nuk është që ne jemi të gatshëm por Kosova është në urgjencë me gjet një zgjidhje dhe e vetmja është mocioni… me shku në zgjedhje me shpërbërje të Kuvendi duhet 81 vota e mocioni i cili kërkon 61 vota pra është më real dhe mocioni do të ishte mënyra më e mirë”, tha Haradinaj për RTV21.
Kërkesën e opozitës për zgjedhje të reja, pushtetin e cilëson të paarsyeshme dhe boshe. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu thotë se aktualisht nuk ka kushte për një gjë të tillë.
“Nuk i kanë numrat dhe ata janë të sigurt se s’do të ketë zgjedhje të reja sepse nuk janë kushtet për të krijuar një palë zgjedhje të reja . Unë besoj se në zgjedhje të reja mund të shkojmë atëherë kur do të ekzistojë vullneti edhe i qytetarëve por edhe i deputetëve të Kuvendit që ta votonin mocionin për rrëzimin e qeverise. Ky vullnet nuk ekziston nga asnjëra prej këtyre palëve pra as prej qytetarëve që kanë votuar mbi 50/ VV, qeverisjen aktuale dhe mazhorancën aktuale.. Vazhdon të mbes një kërkese boshe për të cilën jam shumë e sigurt që as ata vetë nuk duan ta jetësojnë”, tha Arbëreshë Kryeziu.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje fito me mbi 50% të votave./21Media