Sulmi ndaj Policisë së Kosovës, Prokuroria: Sulmuesit dyshohen për vepra terroriste

(Lajm i përditësuar)
Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës janë ndaluar gjashtë persona, kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për disa vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Një nga to është për vepra terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i sotëm i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Krejt çka gjeti Policia e Kosovës nga grupi terrorist në Banjskë
Policia e Kosovës, ka bërë publike disa lloje të armatimit që kanë gjetur gjatë kontrollit në disa lokacione e objekte banimi në Banjskë të Zveçanit.
Sipas njoftimit për media bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj,
Policia e Kosovës arreston edhe sulmuesin e dytë, ishte me uniformë ushtarake
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe sulmuesin e dytë mbi aktin terrorist të sotëm ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.