Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe.
“Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë disa muajsh e pleq mbi 90 vjeç, askush nuk u dënua për këtë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 26 shtatorit në 25 vjetorin e përjetësimit.
Haradinaj ka kujtuar heronjtë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari.
“25 vjet nga rënia heroike e luftëtarëve të lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari. Mësuesi me dy nxënësit e tij, që nuk lëshuan pozicionet deri në frymën e fundit, për të mbetur frymëzim trimërie në rrugën drejt lirisë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj po ashtu ka kujtuar familjen Deliu e cila ishte ekzekutuar nga forcat serbe.
“Po atë ditë, në Abri forcat serbe ekzekutuan familjen Deliu, duke mos kursyer askënd, nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre! Të paharruar janë ata që sakrifikuan për Atdheun! Nderimi për ta do të jetë i përhershëm”, është shprehur Haradinaj.
25 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme
Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane.