A do të merr pjesë Haxhi Shala në varrimin e babait, flasin nga Haga për RTV21

Ka vdekur babai i ish-deputetit Haxhi Shala i cili ndodhet në paraburgim në Hagë. Por a do ta lejojë Haga Shalën të merr pjesë në cereminonë e varrimit të babait.
Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë thënë portalit rtv21.tv se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendos për kërkesa të tilla.
“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet nga mbrojtja dhe vendimet e gjykatësve publikohen në faqen tonë të internetit”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Dhomave të Specializuara.
Lajmin për vdekjen e Xheladin Shalës e ka bërë të ditur nipi i të ndjerit.
“Sot, në orët e para të mëngjesit, na la gjyshi jonë i dashur, Xheladin Shala. U largove me mallin që ta shohësh edhe një herë djalin tënd, një mall që nuk munde ta shuaje dot. Zemra ime është e rënduar nga kjo dhimbje, sepse ti dëshiroje aq shumë të ishe sërish me të. E megjithatë, u prehsh në paqe, gjyshi im! Në kujtimet tona, ti do të jetosh gjithmonë, me atë dashuri të pafund që na dhe dhe forcën që gjithmonë na jepje. Mungesa jote do ndihet gjithnjë, por ne do ta mbajmë kujtimin tënd të gjallë”, ka shkruar Flakron Shala në “Facebook”./21Media