A do të shtrenjtohet rryma në Kosovë, flet ZRRE

Zyra e Rregullatorit për energji elektrike, tha për RTV21 se të premten përfundon afati për dorëzimin e aplikacioneve nga operatorët e sektorit energjetik në Kosovë, lidhur me kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale, që janë, që janë përcaktuese të tarifave të energjisë elektrike të cilat pritet të hyjnë në fuqi në muajin prill.
Megjithatë, ZRrE tha se nuk mund t’i paragjykoi nëse propozimet e operatorëve të sektorit energjetik do të rezultojnë me shtrenjtim të rrymës.
“Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve nga operatorët e sektorit energjetik është data 23 janar 2025. Në vijim, dhe ashtu siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi, ZRRE-ja do të ndërmarrë shqyrtimin e detajuar të të gjitha aplikacioneve të dorëzuara. Ky proces përfshin vlerësimin e përputhshmërisë ligjore dhe rregullative, si dhe analizën e kostove dhe supozimeve të paraqitura nga operatorët. Mbi bazën e këtij shqyrtimi profesional, ZRRE-ja do të përgatisë raportin konsultativ, i cili do të publikohet për konsultim me palët e interesit. Në këtë fazë, nuk mund të paragjykohet nëse propozimet fillestare do të rezultojnë në rritje të tarifave për konsumatorët. Çdo ndikim i mundshëm tarifor do të vlerësohet vetëm pas analizës së plotë të aplikacioneve dhe pas procesit të konsultimit publik. Vendimi final do të merret pas shqyrtimit të komenteve dhe vërejtjeve të pranuara gjatë konsultimit, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Procesi do të jetë i hapur dhe transparent. Raporti konsultativ do të vihet në dispozicion të publikut dhe qytetarët, bizneset dhe palët e tjera të interesit do të kenë mundësi të kontribuojnë përmes dorëzimit të komenteve me shkrim.
Të gjitha kontributet do të shqyrtohen nga ZRRE-ja dhe do të merren parasysh në procesin përfundimtar të vendimmarrjes./RTV21/21Media