A duhet të jetë pjesë e dialogut hapja e Urës së Ibrit, flasin ekspertët

Tema për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit është bërë përsëri çështje diskutimi.
Derisa institucionet e Kosovës po kërkojnë që e njëjta të hapet, bashkësia ndërkombëtare po thotë se hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë pjesë e dialogut.
Madje, edhe sot në një takim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, nga këta të fundit u tha se nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Por, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, Kurti tha se “ura duhet të hapet”.
“Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës të lëshuar pas takimit.
Që hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë pjesë e dialogut e thotë edhe ish-ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
Ferati, thotë se Ura e Ibrit dhe komplet situata në veri nuk është çështje vetëm e ligjshmërisë, por më tepër është problem politik sepse lidhet me kundërshtimin e një pjese të qytetarëve të asaj pjese.
“Kjo çështje duhet të jetë pjesë edhe e një pajtueshmërie edhe e një dialogu. Në rend të parë me bashkësinë ndërkombëtare dhe me misionet e vendosura EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare në tërësi në mënyrë që ajo të ushtrojë një presion në Beogradin. Pra, Ura e Ibrit për mendimin tim duhet të jetë pjesë e dialogut, ani pse është e drejtë e institucioneve të Republikës së Kosovës që të insistojnë në diçka të tillë”, është shprehur Ferati.
Ndërsa, për deklaratën e vendeve të QUINT-it, Ferati deklaroi se këta të fundit po e dëshirojnë këtë në mënyrë që të mos krijohen tensione.
“Kjo është një deklaratë që unë paralajmërova se ata e dëshirojnë që kjo të jetë pjesë e dialogut dhe të bëhet në pajtueshmëri në mënyrë që të mos krijojë tensione, ngase ata kanë dëshirë që edhe Vuçiqi të jetë partner në tejkalimin e kësaj situate, mirëpo jo vetëm rreth Kosovës, por edhe për situata të tjera, prandaj ata e dëshirojnë këtë rezultat, pra që Ura e Ibrit nuk e kontestojnë ata se është e dobishme që të hapet, por kërkojnë që kjo të bëhet në koordinim apo edhe me një pajtueshmëri, hajde po themi në këtë rast të Beogradit apo Vuçiqit”, ka shtuar Ferati.
Kurse, analisti politik Albinot Maloku deklaroi se çështja e Urës së Ibrit ishte çështje dhe pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë edhe vite më parë.
Dhe se e njëjta sipas Malokut, nuk është se është respektuar.
Derisa, thotë se kjo temë nuk duhet të rifutet në dialog.
“Konsideroj se institucionet e Kosovës janë jashtëzakonisht të lirë të rikthehen në këtë marrëveshje dhe të kërkojnë zbatimin e tyre, edhe pse kanë kaluar afatet për zbatimin e të njëjtës. Në anën tjetër sot përqasja e ambasadorëve në Kosovë rreth asaj që ata nuk janë të pajtimit të ndryshojë statuti kjo është non sens për arsye se çështja e Urës së Ibrit nuk është se ka pas ndonjë statut specifik që ai mos të ndërrohet por të ketë një përqasje të re ndaj saj. Kjo ka qenë pjesë e dialogut dhe unë konsideroj se e njëjta nuk duhet të rifutet në dialog pa rishtyrtimin e marrëveshjeve të cilat kanë pas të bëjnë me çështjen e situatës rreth hapjes dhe mos hapjes të Urës së Ibrit”, ka pohuar Maloku.
Bashkimi Evropian, ndërkohë, të enjten ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.
Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
E, për këtë analisti Maloku deklaron se duhet rikujtuar Bashkimit Evropian se hapja e Urës së Ibrit ka qenë pjesë e dialogut dhe për se të njëjtën duhet të insistohet që të jetësohen marrëveshjet.
“Duhet rikujtuar Bashkimit Evropian dhe krejt mekanizmave ndërkombëtarë që çështja e Urës së Ibrit ka qenë pjesë e dialogut të Kosovës dhe Serbisë, dhe për të njëjtën duhet të insistohet që të jetësohen marrëveshjet. Në këtë rast unë konsideroj që vetëm duhet të insistohet me jetësimin e marrëveshjeve të ndodhura mes Kosovës dhe Serbisë e që është edhe hapja ose mos hapja e Urës së Ibrit”, ka thënë ndër të tjera Maloku.
Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe./kp