A është Haxhiu pengesë apo pretekst për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës?

Edhe pas dhjetë seancave Kuvendi i Kosovës, akoma vazhdon të mbetet i pakonsistuar. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, ndërsa nuk po i merr votat e mjaftueshme për tu zgjedhur.

VV sot insistoi për të dytën herë me radhë që ta formoj një komision lidhur me hedhjen e votimit në mënyrë të fshehtë.

Deputetë nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e kësaj partie Albin Kurtin, që kjo po bëhet qëllimisht pasi ata nuk i kanë votat për qeveri, gjë të cilën nuk po e pranojnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas mbylljes së seancës në fjalimin e tij, vazhdon t’i qëndrojë stoik vendimit që Albulena Haxhiu të mos votohet për kryeparlamentare.

“Ua përkujtoj dhe ua përsëris, as herën e parë, as herën e dhjetë, as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu, sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, tha ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, është e të njëjtit mendim me Krasniqin, kundër votimit të Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

“Edhe përkundër faktit që dje ishte një ditë e keqe për Kosovën e në veçanti për komunitetin e tij, ajo që jeni përballur për plot 1 vit. Na vjen keq dhe zotohemi para jush që në emër të LDK do të jeni gardian të lirë, na vjen keq që prej datës 15 prill jemi takuar çdo 48 orë, tash LVV ka vendos strategji, dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, që është argumentuar që është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i votimit. Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë”, u shpreh Bajrami.

Ndërsa Time Kadrijaj e AAK-së thotë se VV-ja nuk i ka votat për ‘lojërat politike që po i bën’.

“Po kërkojnë votë për formimin e një komisioni, ndërsa nuk e kemi emrin e një kandidati. Nuk i kanë lojërat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë, dhe nëse nuk ndryshojnë qasje, është lëvizje e VV-së”, tha ajo.

Ndërkaq mbyllja e seancave nga kryesuesi Avni Dehari, dhe vazhdimi pas 48 orësh, po cilësohet si kapje e procesit Eugen Cakolli nga KDI tha se kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë, që është përjashtim procedural, zbatohet votimi publik, ndërkaq çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural, por kapje e procesit.

“Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës. Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin’’, ka thënë ai mes tjerash. Seanca e 11 do të mbahet të hënën e 5 majit, ndërsa se a do të konstituohet Kuvendi mbetet për tu parë./21Media

Back to top button