A është larguar Doarsa Kica nga ‘Lista Guxo’?

Përderisa në media po raportohet se deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe anëtarja e partisë “Lista Guxo”, Doarsa Kica-Xhelili do të kalojë këtë javë zyrtarisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ministri dhe anëtari i partisë, “Lista Guxo”, Faton Peci përmes një postimi në Facebook ka reaguar duke thënë se largimet tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci në Facebook.
Portali rtv21.tv  ka kontaktuar vet deputeten Kica-Xhelili si dhe me Listën Guxo dhe LDK-në, por asnjëri deri tash nuk janë përgjigjur. Por, sot deputetja Kica-Xhelili mungoi në formimin e degës së Listës Guxo në Prishtinë.
Kujtojmë se dyshimet e para për kalimin e deputetes Doarsa Kica – Xhelili në LDK janë hedhur pas deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku se “do të ishte nder për secilën parti që ta ketë në radhët e veta një deputete si doarsa Kica Xhelili”.
Ndryshe, Partia Guxo sot në ora 17:00 mban kuvendin e parë zgjedhor dhe konstituiv të organeve dhe statutit të partisë. ./21Media

Back to top button