A ka greva premisa politike?

“Ka pasur marrëveshje mes Qeverisë dhe punëtorëve shëndetësorë”

Kjo është java e pestë që prej kur kirurgët kanë hyrë në grevë, atyre dje iu janë bashkuar edhe kirurgët vaskularë. Kirurgët po kërkojnë rritjen e koeficientit nga 5 në 10. Lidhur me këtë grevë u diskutua sot në emisionin “Click” në RTV 21. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova tha se kjo grevë ka filluar qysh para një viti, përcjell rtv21.tv.

“Kjo ka ndodhur vitin e kaluar, pothuajse tash një vit, kur kryeministri i vendit në mënyrë ia ka rritur pagën vetit, këshilltarëve të tij dhe kabinetit qeveritar dhe në një farë forme kjo rritje në formë të tillë në atë përqindje irritoi komunitetin e mantilbardhëve e në veçanti specialistët e nivelit terciar”, tha Rugova i cili është edhe anëtar i Komisionit paralamentar për shëndetësinë.

Rugova po ashtu tha se gjatë grevës së vitit të kaluar ministri aktual i shëndetësisë, Uran Ismaili iu ka premtuar se do të ketë rritje dinjitoze të pagave.

“Përpos asaj ka deklaruar se nëse deri kah mesi i viti ka kërkuar kohë, do të thotë 2018 nuk bëhet rritja e pagave edhe unë bashkë me ju do të futem në grevë”, tha Rugova i cili edhe vetë është mejk.

Në anën tjetër deptueti i PDK–së Bekim Haxhiu duke mos mohuar të drejtën e punëtorëve për grevë tha se grevat kanë filluar të marrin konotacion politik.

“Është më se e vërtetë që ka pasur një marrëveshje edhe një bashkëkoordinim mes Qeverisë së Kosovës dhe punëtorëve shëndetësorë për ngritje substanciale të pagave, që ato të jenë të dinjitetshme dhe kthehemi në retrospektivë shohim se kjo marrëveshje nga ana e qeverisë edhe me propozimin aktual, të paktën sa i përket specialistëve të fushës së mjekësisë është e përmbushur, ka pasur mangësi tek profesionistët e tjerë shëndetësorë, infermierëve të cilët nuk janë trajtuar në mënyrë të duhur, por që pastaj me anë të amandamentimit të ligit edhe ata do të kenë besoj një trajtim të duhur”, tha Haxhiu i cili po ashtu është anëtar i Komisionit paralamentar për shëndetësinë .

Ndryshe, për grevat e sivjetme në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se nuk mund të ketë rritje të pagave në shëndetësi pa u miratuar projektbuxheti për vitin 2019 nga Kuvendi i Kosovës.

Më 31 janar projektligji për pagat pritet të shkojë në Kuvend./21Media

Back to top button