A mund të zëvendësohet libri fizik?

Kur në botë u bë një dekadë që ka filluar digjitalizimi i librit, në vendin tonë ka më pak se pesë vjet që flitet për këtë. Shtëpitë botuese e shohin si të domosdoshme, por njëkohësisht edhe si sfidë.

Eronita Kçiku nga shtëpia botuese Bard Books ngre çështjen se lexuesi kosovar ka mundësinë të lexojë online librat në gjuhë të huaj, por jo edhe në gjuhën shqipe. Ajo thotë se digjitalizimi i librave është një hap i vonuar për tregun shqiptar,

Derisa bota, sidomos gjuha angleze, ishte para 10 viteve në kulmin e saj të digjitalizimit të librit, ku çdo libër shitej edhe si libër digjital në Amazon. Ne kemi fillu që tre vjet, pesë vjet mbrapa për këtë digjitalizimin e librave në gjuhën shqipe. Se ne kemi qasje në librat e huaj, po nuk kemi qasje në librat tanë, se botuesit në përgjithësi janë skeptik me fut librin e digjitalizu, se gjithmonë ekziston e drejta e autorit dhe problemi i vjedhjeve e kështu me radhë, tha pë rtv21 Kçiku

Përfaqësuesja e shtëpisë botuese Dukagjini, Liridona Bytyqi, vlerëson përfitimet e digjitalizimit, por thekson rëndësinë e ruajtjes së librit fizik.

“Është diçka që duhet bërë, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të ruhet mënyra klasike e pasjes së librave. Sigurisht që pasja e librave nëpërmjet mjeteve të ndryshme që ta bëjnë të mundur që të kesh disa libra me vete, e jo t’i bartësh disa libra që është e lodhshme. Por ne i qëndrojmë asaj që është më mirë të kemi libra fizik, por edhe pse jo që të nisim që të digjitalizojmë, sepse kjo do të jetë një mënyrë më e lehtë që njerëzit të kenë qasje në librat tonë dhe po ashtu edhe ata që nuk janë në Kosovë që t’i kenë këta libra për të lexuar.”, tha Bytyqi

Shkrimtari Besnik Jaha e sheh digjitalizimin si një proces të pashmangshëm dhe pjesë të trendit global.

Ai vëren se mungojnë platformat elektronike të botuesve dhe bibliotekat personale digjitale, çka e bën Kosovën të qëndrojë prapa vendeve të zhvilluara.

“Është trend i kohës, nuk mund ta ndalim, duhet ta adaptojmë, duhet ta përshtasim me jetën tonë. Shoqëria jonë është ende larg prej asaj që është duke jetuar pjesa tjetër e botës së zhvilluar perëndimore dhe mendoj se edhe ne si shoqëri, me një popullsi të re, do të duhej të konsiderojmë edhe librin elektronik pjesë të përditshmërisë sonë, jo vetëm rrjetet sociale por edhe librin elektronik. P.sh. ne nuk kemi platforma elektronike të leximit të librave nga shtëpitë botuese, nuk kemi biblioteka personale elektronike. Megjithatë, mendoj se sado që të zhvillohet teknologjia, asnjëherë nuk do të vijë një kohë kur nuk do të lexohet libri i printuar, sepse ka njerëz që janë të dashuruar në erën e librit, grafitit, etj.”, tha Jaha

Megjithatë, nga diskutimet e mësiperme, shihet qartë se libri fizik ashtu edhe ai digjital duket se do të fillojnë të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë./RTV21/21Media

Back to top button