A po respektohet vendimi i MINT, për RTV21 flet kryetari i Shoqatës së naftëtarëve

Ministria e Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) sot ka përcaktuar tavanin maksimal të çmimeve për karburante për 24 orët e ardhshme.
Sipas MINT çmimi maksimal i lejuar i produktit dizel është: 1.85 euro centë për litër, çmimi maksimal i lejuar i produktit benzinë është: 1.74 centë euro për litër. Po ashtu, çmimi maksimal i lejuar i produktit gas është 0.78 centë për litër.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani i cili ka thënë se vendimi i Qeverisë është duke u respektuar, por sipas tij ky vendim është me gabime.
“Vendimi i Qeverisë duhet të respektohet dhe është duke u respektuar. Por, vendimi ka gabime në kalkulim të çmimit. Shpresojmë se në ditët në vijim do të përmisohet”, ka thënë Berjani për portalin rtv21.tv.
Ndërkohë, u raportua se në disa kompani të derivateve ende çmimi i dizelit për litër është 1.91 euro, ndërkaq qytetarët po ashtu për benzinë po paguajnë 1.89 euro.
Ky vendim, sipas MINT është marrë bazuar në udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve dhe masat mbrojtëse./21Media  

Back to top button