A po rriten “apetitet” e Listës Serbe duke e kundërshtuar?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në të paktën katër raste së fundmi i ka rrëzuar vendimet e anëtarëve të KQZ-së nga partia Vetëvendosje, të cilët kanë votuar kundër të drejtave ligjore dhe kushtetuese të partisë së komunitetit serb për pjesëmarrje në zgjedhje, rrjedhimisht në Kuvend. Ambasada e Britanisë së Madhe iu është bashkuar thirrjes së SHBA-së dhe BE-së, duke vlerësuar se këto veprime cënojnë demokracinë, duke kërkuar respektimin e kornizës ligjore.
“Ne inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të ruajnë integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit mes të gjitha komuniteteve.”, reagimi i Ambasadës Britanike në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e quan politizim të skajshëm veprimin e LVV-së në KQZ kundër komunitetit serb. Sipas tij, moszbatimi i vendimeve është tregues i qartë i brishtësisë së sistemit në Kosovë. Miftaraj vlerëson se kundërshtimi i Listës Serbe në këtë formë po ua rrit kërkesat për formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Në një fazë të mëvonshme, fatkeqësisht, kjo do të përkthehet në më shumë të drejta për serbët e Kosovës, duke i dhënë rëndësi primare kërkesës që Kosova të miratojë statutin e Asociacionit, ku do t’u jepen të drejta shtesë që do ta cenojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.”, tha Miftaraj.
Përfaqësuesi ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se qasja e përfaqësuesve të LVV-së kundër kornizave ligjore që sigurojnë të drejtat e komuniteteve në Kosovë është shpërfaqje e populizmit për qëllime të lojërave politike, të cilat sipas tij po ndikojnë edhe në prishjen e raporteve me aleatët.
“Qasja e partive politike shqiptare në KQZ, qoftë me apo pa vetëdije, po e shpërfaq dështimin e institucioneve të Kosovës për të respektuar përfaqësimin e detyrueshëm që e ka komuniteti serb në institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin.”, tha Bugaqku për RTV21.
Përfaqësuesit e LVV-së kanë dhënë sinjale se nuk do ta respektojnë as vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka gjetur shkelje gjatë procedurave që ka zbatuar ish-kryetari i Kuvendit Dimal Basha për zgjedhjen e nënkryetarit Nenad Rashiq. Kundërshtimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i shkon më së shumti në favor Serbisë.
“Kush ka më së shumti interes që Kosova të jetë shtet jofunksional është Serbia. Nëse z. Basha thotë se nuk do ta zbatojë vendimin, kjo do të thotë se nuk do të kemi Kuvend të konstituuar. Nuk do të kemi mundësi të formojmë Qeverinë. E nëse nuk kemi Qeveri dhe Kuvend, si do ta bëjmë miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare?”, tha Miftaraj.
Përfaqësuesi ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb është shumë i qartë. Sipas tij, janë dy mundësi që mund t’i aplikojë kryetari i ri i Kuvendit.
“Ose të shkohet sipas modelit që të votohen në pako të dy nënkryetarët e komuniteteve, serbe dhe joserbe, ose të vazhdohet me bllokadën, sikurse vitin e kaluar, kur ishte keqinterpretuar Rregullorja e Punës së Kuvendit.”, deklaroi Bugaqku.
Sipas hulumtuesve nga institutet IKD dhe KDI moszbatimi i vendimeve kushtetuese nga partitë politike do të ketë efekt në zvarritjen e formimit të institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë, por edhe në zgjedhjen e presidentit të ri./RTV21/21Media