​AAK: Buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka diskutuar në mbledhjen e sotme zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

AAK konsideron se gjendja aktuale në vend është alarmante, pa qeveri legjitime dhe funksionim të duhur të institucioneve, gjë e cila kërkon veprim urgjent, dhe se në këto rrethana zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, thuhet në njoftim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që e shkel Kushtetutën dhe e deformon rendin demokratik dhe se kërkon që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë.

AAK tha se nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë dhe se vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje.

“Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës. Kjo nuk është çështje teknike, por parimore: nuk ka buxhet pa Qeveri, nuk ka vendimmarrje pa mandat dhe nuk ka demokraci pa respektim të Kushtetutës.

AAK ka vlerësuar lart suksesin në zgjedhjet lokale, ku kjo parti doli fituese në pesë komuna – Gjakovë, Suharekë, Deçan, Rahovec dhe Klinë. Në këtë frymë, Kryesia e AAK-së miratoi kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe nisjen e përgatitjeve në nivel të degëve për zgjedhjet e ardhshme.

Back to top button