AAK kërkon veprime institucionale për kushtin e ri për liberalizimin e vizave
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vlerësuar se institucionet e Kosovës do të duhej të reagojnë lidhur me kushtin të Francës për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të duhej ta adresonin këtë çështje te institucionet e Bashkimit Evropian.
“Në takim e kam ngritur çështjen e liberalizimit të vizave, është e pakuptimtë që Kuvendi dhe Qeveria të mos ketë një komunikim zyrtar, të kërkojë nga institucionet përgjegjëse pse po bëhet ky diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës. Dje u vendos edhe një kusht, nesër do të dalë një shtet tjetër do të vendos edhe një kusht. Ky trajtim jo dinjitoz i Kosovës duhet ndaluar. Drejtimi ynë dihet, është pro-perëndimor, në politikën e jashtme të sigurisë pro-amerikan, në agjendën evropiane 100 për qind pro Brukselit. Derisa Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk e sanksionon Rusinë, kalkulon dhe luan me agjendën e tyre për interesa politike, Kosova e ka një drejtim dhe të mos keqpërdoret kjo. Kjo duhet të ndodhë nga Kuvendi. Kryetari i Kuvendit duhet ta adresojë një letër dhe kryeministri duhet të flasë”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket të gjeturave nga raporti i progresit për vendin, ka përmendur edhe opozitën për përmbajte në votimin e projektligjeve.
Deputeti Tahiti ka thënë se kjo nuk qëndron, ai tha se qasja e AAK ka qenë kontruktive. Ai ka shtuar se mungesa e kuorumit, është përgjegjësi e partisë në pushtet.
“Kjo nuk qëndron, sot ne po i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare me votat e opozitës. Edhe marrëveshjet tjera të gjitha kanë qenë me votën tonë. Këta(pushteti) si kanë as 61 vota. Qasja jonë ka qenë shumë konstruktive, shtet formuese dhe si e tillë do të vazhdojë nga AAK. Në anën tjetër mungesa e kuorumit, nuk është problem i yni, është problem I partisë që udhëheq”, ka thënë ai.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian të entjen (13 tetor) ka bërë të ditur se grupi i punës për vizat ka zhvilluar diskutimin e parë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas kësaj deklarate, Komisioni Evropian ka prezantuar përditësimin e tij lidhur me raportin teknik për këtë temë, i cili ka rikonfirmuar se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret e liberalizimit të vizave.
“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian prezantoi raportin teknik të përditësuar për këtë temë, i cili rikonfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave. Grupi Punues përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi këtë temë dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë dosje, do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, është bërë e ditur në deklaratën zytare të presidencës çeke.