AAK mobilizohet për zgjedhjet parlamentare

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe aspektet e organizimit të brendshëm partiak.

Duke folur për zhvillimet politike, kryetari Ramush Haradinaj tha se Kosova është duke humbur hapin për shkak se qeveria aktuale është e fokusuar në fitore të vogla dhe e ka humbur fokusin nga fitoret e mëdha, që janë jetike për të ardhmen e vendit.

Ai tha se fitore e të gjitha fitoreve do të ishte sikur Kosova ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e madh historik që do të mbahet në muajin korrik, në 75-vjetorin e NATO-s.

Kryesia e Aleancës, ka aprovuar planin veprues për vitin 2024, që përshin tri faza.

Ky plan ka për synim mobilizimin e të gjitha potencialeve njerëzore të Aleancës, si dhe vendosjen e një standardi të zbatimit të obligimeve të marra dhe raportimit të rregullt brenda strukturave.

Plani parasheh që në fazën e parë të intensifikohet komunikimi i brendshëm në të gjitha nivelet e organizimit partiak.

Gjatë fazës së dytë, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet komunikimit me kuadro të profilizuara për sektorë specifik, në nivel komunal dhe qendror.

Faza e tretë, do të përfshijë aktivitetet masive të frymës dhe mesazhit për zgjedhjet parlamentare.

Back to top button