AAK: Po dëshmohet kapja e shtetit

 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas shkarkimit të kryetares së KQZ-së nga presidentja Vjosa Osmani.
Sipas tyre, me këtë vendim edhe më tej është duke u dëshmuar kapja e shtetit.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), znj. Valdete Daka, nga Presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit. Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më pare”, thuhet në reagim.
Më tej në reagim thuhet se arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës janë të pasakta.
“Arsyetimet e dhëna për shkarkimin e znj. Daka janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave. Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete. Këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund”, thuhet tutje në reagim./21Media

Back to top button