Abazaj premton sigurimin e ujit për qytetarët e Pejës

Kandidati i pavarur për kryetar të Pejës, Jeton Abazaj, në debatin zgjedhor në RTV21 shpalosi programin me të cilin po garon në zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai prezantimin e programit të tij e nisi me kritika ndaj programit të prezantuar në rrjete sociale nga kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, njëherësh kryetar aktual, lidhur me premtimin e tij për panelet solare.
“Ndërsa në Pejë njerëzit s’kanë ujë për t’u larë, është një disproporcion i kërkesave të qytetarëve në raport me realitetin dhe buxhetin e komunës”, tha ai.
Abazaj tha se prioritet i qytetarëve është sigurimi i ujit, gjë që tha edhe se është prioriteti i tij.
Premtoi investim në infrastrukturë, konkretisht në rrugë, dyfishimin e subvencioneve në sport, në bujqësi, shëndetësi funksionale, decentralizim të buxhetit në arsim, ngjallje të kulturës në Pejë.
Premtoi ndërtimin e një impianti të ujërave të zeza në fshatin Vitomonicë./21Media