Abdixhiku: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot ka deklaruar se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe se askush s’guxon ta prekë demokracinë. Ky reagim i tij vjen pas deklaratës asë mbrëmshme të kryaparlamentarit Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se po të pyetej ai, do të shtyheshin zgjedhjet lokale, të 17 tetorit.
Ai ka shkruar se numrat zgjedhor nga terreni, “që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë”.
“Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.”, ka bërë të ditur Abdixhiku.
I pari i LDK-së, ka theksuar se propozimi i tij për shkurtim të fushatës zgjedhore, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë.
“Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë. KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish.”, ka theksuar tutje Abdixhiku në facebook.
Sipas Abdixhikut, fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por, siç ka shtuar ai, mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë.
RTV21.tv ka kërkuar ta dijë nga Vetëvendosje se a është kërkesë e partisë që të shtyhen zgjedhjet, por ende nuk ka marrë përgjigje./21Media