Abdixhiku dje i ‘shpëtoi’ votëbesimit, çka tha ai?

Dje Lumir Abdixhiku, me 164 vota për dhe 136 kundër u konfirmua si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai përmes një postimi në Facebook tha se vota e lirë është themeli mbi të cilin ndertohet besimi.
“Demokraci maksimale! Jo si fjalë e madhe, por si akt përgjegjësie. Si provë se vota e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi. Votë e fshehtë, vendim i lirë, respekt për secilin delegat; kjo është mënyra jonë e të qenit politikë, pa frikë dhe pa imponim, me bindjen se liria e mendimit është pasuria më e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës”
Ai shtoi se sot nuk ka arsye për triumf por vetëdije.
“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë. Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që e ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.”
Abdixhiku tha se tani e kanë mision ringritjen.
“Tani kemi misionin e ringritjes përpara. Faleminderit secilit për besimin. Kjo përgjegjësi na obligon të ecim si të vërtetë!”
Pas mbledhjes, ai tha se mbi 7 orë diskutime, ‘’prodhuan demokracinë maksimale që një parti mund të ketë’’.
‘‘Për mbi 7 orë diskutime, prodhuan demokracinë maksimale që një parti politike mund ta ketë. Dhe këtë demokraci na vjen në formë të debatit të hapur, konstruktiv dhe në fund, një proces i paraqitjes së dorëheqjes dhe nisjes së votëbesimit për kryetarin e një partie mbi votimin e fshehtë. Më shumë se kaq s’mund të shkojë një parti politike, jo në Kosovë, jo se jo në rajon, por në pak vende të tjera të botës.’’, ka thënë ai.
Ai ka thënë edhe se është mirënjohës për mbështetjen e dhënë si dhe për kundërshtimet gjatë këtij procesi.
‘’Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK, për të cilin jam falënderues. Por po ashtu jam mirënjohës edhe i mbështetjes dhe kundërshtimeve në këtë proces përpara, zotohem se do t’i afroj të gjithë. Me këtë adfrim nënkuptoj që të gjejë më të mirën brenda vetes, të ruajmë unitetin, por të jemi të sinqert me popullin e Kosovës dhe vlerat që i kemi si LDK.’’, ka shtuar ai.
Abdixhiku bëri të ditur se i kanë miratuar dy deklarata.
’LDK ka miratuar dy deklarata që do të bëhen publike. Njëra është mbi gjendjen politike, tjetra për organizimin e LDK, që do të nis sa më parë, në mënyrë që LDK të jetë funskionale. Në sferën politike angazhohemi për diskutime të hapura me gjithë spektrin politik. Sonte unë këtu ju bëj thirrje të gjithëve, sidomos ata që kanë qenë të pakënaqur me politikën e LDK, edhe ata që kanë pasur funksione të larta të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK. Jemi pak, kemi nevojë për secilin. I bëj thirrje edhe njëherë, edhe ata të dëshpëruarit, të larguarit të dorëhequrit ose të kthehen brenda shtëpisë së tyre politike, në funksion të plotë politik’’, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm të flasë me të gjithë për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Ai ka thënë edhe se, duhet që partitë të ulen dhe të bëjnë shumicën, dhe se, LDK është e përkushtuar që të gjendet një konsensus.
‘’Jo nuk kemi diskutime të tilla, kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, kemi fjalën që duhet të ulën partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Pra jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik, për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Kosovës. Pra kur themi marrëveshje politike, mos e merrni si të rëndë të gabueshme është gjëja më bazike që demokracitë e bëjnë, duhet të ulemi që të bëjmë një shumicë, përndryshe si do të bëhet ajo shumicë. LDK është e përkushtuar që të gjejë konsnesus, këtë duhet ta them, dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë. ’’, ka thënë ai.
Ai është deklaruar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga ana e komunitetit jo shumicë serbe, duke thënë se LDK do ta respektojë këtë vendim.
Ai ka thënë edhe se s’duhet të ketë dilemë për vendimet e Kushtetueses, pasi që më ‘’s’ka shtet, s’ka demokraci’’.
‘’LDK nuk heziton t’i implementojë në plotni vendimet e Kushtetueses. I ka implementuar kur ka qenë në pyetje pozicioni politik i veti, kryeministrave, kryetarëve të kuvendit, ministrave, dhe presidentit, e lërë më për pozicione të parëndësishme si nënkryetari i pestë i Kuvendit të Kosovës. Prandaj do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses siç e ka thënë pa asnjë hezitim. As dilemë nuk duhet të jetë që vendimi i Kushtetueses të jetë opsional për neve. Atëherë s’ka më shtet, s’ka më demokraci’’, ka thënë ai.
Ndryshe, LDK, ka dalë parti e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke siguruara vetëm 15 ulëse në legjislaturën e re të kuvendit