Abdixhiku: Fushata në Prishtinë paska nisur me mbeturina – LDK nuk ndalet kështu

Pas situatës së krijuar me mbeturina në Prishtinë, ka reaguar Lideri i LDK-së , Lumir Abdixhiku .
Ai këtë po e sheh si nisje të fushatës zgjedhore. Por ai deklaron se “nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu”.

“Fushata në Prishtinë paska nisur. Me mbeturina. Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë”, shprehet ai.

“Me sabotazhë në njërën anë e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër – krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje. Keqardhje se sa larg shkon një betejë politike. Në vend të ideve konkrete, paskan zgjedhur sabotimin e shkaktimin e problemeve”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai akuzon se përkundër mbeturinave, Ndërmarrja Pastrimi refuzon të punojë.

“Këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash, ka kohë që kanë marrë në kontrollë të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Po, qytetarë, janë bërë bashkë dhe e mbajnë Ndërmarrjen Pastrimi jashta menaxhimit Komunal. Si të tillë e vendosin edhe në bojkot; bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë. E sa për të mos mjaftuar e gjithë kjo, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar – besoni ose jo – angazhimin e dikujt tjetër për pastrim. Skenari gati. Telefonat gati. Fotografitë po. Qyteti me mbeturina plot, fushata vazhdon: Komuna s’po punon!”, ka shkruar Abdixhiku.

Back to top button