Abdixhiku: Jam gati, Kosova ka nevojë për qeveri që punon, jo që shemb

(Lajm i përditësuar)


Abdixhiku: Jam gati, Kosova ka nevojë për qeveri që punon, jo që shemb

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar kolegët e tij të kryesisë për besimin e plotë, pasi në takimin e sotëm, e nominuan sërish kandidat për kryeministër.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se është gati për zgjedhjet e reja dhe se “28 dhjetori është dita kur e nisim rrugën e re”. Duke e cilësuar këtë si nderin më të madh politik që mund t’i jepet një njeriu, por mbi të gjitha edhe përgjegjësi.

“Kosova po hyn në një moment vendimtar. Pas kohëve të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve, vendi ynë ka nevojë për kthjelltësi, për përvojë, për seriozitet dhe për një vizion të qartë euroatlantik. Ka nevojë për qeveri që punon, jo që improvizon; që bashkon, jo që ndan; që ndërton, jo që shemb. LDK-ja, shtëpia jonë politike e vlerave dhe e stabilitetit, vjen në këto zgjedhje me një ofertë shtetformuese, me programin të plotë zhvillimor, me njerëzit më të përgatitur për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta dërguar drejt një dekade të re zhvillimi”, ka shkruar Abdixhiku.


LDK e nominon Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër.

Këtë e bëri të ditur vetë Abdixhiku në një konferencë pas mbledhjes së Kryesisë. Emri i tij tani do të kalojë edhe tek Këshilli i Përgjithshëm.

“Tek çështja e kandidatit për kryeministër, ishte diskutim i shkurtë. Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevoj të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi, si propozim për këshillin e përgjithshëm që të jem kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se ka hequr dorë nga e drejta për të bërë renditjen e listës.

“Hoqa dorë nga renditja për ta bërë listën…LDK garon e vetme në këtë garë, por brenda listës do të zhvillojë diskutime me akterë, parti që mund të jenë pjesë e listës”, deklaroi Abdixhiku.

Një pjesë të listës së LDK-së, Abdixhiku tha se do të jetë e hapur për partitë e tjera, përfshirë edhe Fatmir Limajn e NISMËS.

“LDK-ja do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hap për partitë e tjera përfshirë edhe Limajn me deputetët e tij. Për këtë çështje do të zhvillohen bisedime në ditët në vijim por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë e tjera që janë Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit. Pra ne jemi të hapur edhe për partitë edhe për individët. Pra, individë që duan të garojnë për LDK-në, për ngritjen e LDK-së”, shtoi Abdixhiku.


LDK pas pak nominon kandidatin për kryeministër

Ka filluar mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pritet të bëhet nominimi zyrtar i kandidatit për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Krahas kësaj, kryesia pritet të diskutojë edhe për rezultatet e zgjedhjeve lokale. Pas mbledhjes pritet të ketë një deklarim për media nga zyrtarë të LDK-së. /kp

Back to top button