Abdixhiku kritikon Bajramin dhe Hotin që ia kërkuan dorëheqjen e parevokueshme: Ik, lësho vend, mu tha

Kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar zyrtarët e LDK-së që ia kanë kërkuar dorëheqjen në natën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Edhe pse nuk përmendi emra konkret, ai iu referua deputetëve Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, të cilët ia kishin kërkuar dorëheqjen e parevokueshme.

“Më duhet të them edhe këtë: që në natën e zgjedhjeve, kur paralajmërova thirrjen e Kuvendit të partisë për ta trajtuar këtë çështje me përgjegjësi institucionale, pati zëra brenda LDK-së që kërkuan dorëheqjen time. Zëra që më vonë shfaqën edhe ambicie të hapura politike. Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash. Por kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, mu tha”, u shpreh ai.

“Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend. Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë. Merreni me mend. Kuvendi i LDK-së nuk mund të vendosë më! E kush pra? Të ju them të drejtën, duke ndjerë dhe peshën e madhe të përgjegjësisë, jo në pak raste kam menduar të parevokueshmen”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Avdullah Hoti ditë më parë paralajmëroi dorëheqjen e tij nga organet drejtuese të LDK-së nëse lidershipi i kësaj partie nuk merr përgjegjësinë që i takon për rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

“Nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Back to top button