Abdixhiku-Kurtit: Jep dorëheqje zotëri, mjaft me filma e kauza plot mllef

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që kreu i LVV-së, Albin Kurti, të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe të betohet pastaj si deputet.
Ky reagim i Abdixhikut ka ardhur pasi Kurti ka sulmuar partitë opozitare se duan ta pengojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Jep dorëheqje zotëri, betohu si deputet! Si secili tjetër në Kuvend! Mjaft më me filma e kauza plot mllef! Apetiti i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe i prijësit të tyre për të qenë edhe Kryeministër edhe Deputet, prodhoj sot një episod të errët demokratike në vend. Të paprecedentë, sepse askush deri më tani, me mendje demokratike e me respekt ndaj Republikës, nuk kishte provuar t’i ketë të dyja funksionet përnjëherë! Derisa në njërën anë deklarojnë se po japin dorëheqje, në anën tjetër vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e dorëhequra sikurse s’ka ndodhur asgjë e re. Sa të pavërtetë; sa jodemokratik! E vërteta megjithatë është krejt e thjeshtë! Duan të blejnë kohë; sepse nuk kanë votë. Me 52 vota tani, ato që edhe i pamë. Pështyesit e moçalit të pështymave, nuk kanë shumicë. I duhet koha për pazare shtesë – të rënda, joparimore, të kushtueshme për këtë Republikë. Aq të kushtueshme sa u kuptua dhe nga mesazhet që i dërgonin njëri tjetrit vet!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.