Abdixhiku: LDK fitoi me ndershmëri, nuk njohim qytetarë të ndarë në ngjyra e flamuj partiakë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar se partia e tij ka shënuar fitore në shtatë komuna, përfshirë edhe Prishtinën.

“Dje, Kosova foli. Foli me votë, me besim dhe me qartësi. Foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës. Foli përtej zhurmës, përtej fyerjes, përtej përçarjes. Dhe mesazhi i saj ishte i pastër: Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull! Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e madhe e qytetarisë, dje ka fituar. Ka fituar në 7 komuna, përfshirë dhe garën pakrahasueshëm më kryesoren në vend, atë që e synojnë të gjithë, Kryeqytetin. Jemi parti e parë në Prishtinë pas 12 viteve; e fitorja dy herë radhazi këtu është shenjë”, ka shkruar Abdixhiku.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së u shpreh se ky rezultat pasqyron forcën dhe rritjen e LDK-së në nivel vendi. Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për kandidatët fitues dhe ata që nuk arritën të sigurojnë fitore, duke i cilësuar përpjekjet e tyre si të denja.

Abdixhiku ka njoftuar se në komunat ku LDK ka fituar, qeverisja do të jetë gjithëpërfshirëse. Lideri i LDK-së ka theksuar se fitorja sjell përgjegjësi dhe angazhim për të ndërtuar institucione që punojnë për të gjithë qytetarët.

“Në çdo komunë ku kemi fituar, ne do të jemi qeverisje për të gjithë. Sepse për ne, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Është detyrë për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, për të ndërtuar bashkë, për të ecur përpara bashkë edhe me ata që nuk pajtohen me ne.Ne nuk fitojmë për të ndarë. Fitojmë për të bashkuar. LDK nuk njeh qytetarë të ndarë në ngjyra e flamuj partiakë. Ne njohim vetëm qytetarë të Republikës së Kosovës; të barabartë në dinjitet, në mundësi dhe në ëndërr. Në çdo komunë ku kemi fituar, ne do të jemi qeverisje për të gjithë. Sepse për ne, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Është detyrë për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, për të ndërtuar bashkë, për të ecur përpara bashkë edhe me ata që nuk pajtohen me ne. Në këtë frymë, fitorja jonë është një përgjegjësi e madhe. Është thirrje për punë, për përulësi dhe për dinjitet. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për heroizma, kanë nevojë për rezultate. Nuk kanë nevojë për armiq, por për partnerë. Nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, por për vepra të ndershme.Dje, Kosova ka bërë një hap përpara drejt normalitetit. Drejt një qeverisjeje që punon, që dëgjon, që respekton. Drejt një vendi ku fjalët “shtet” dhe “dinjitet” kanë kuptim të përbashkët. Ky është misioni ynë. Dhe këtë mision do ta çojmë përpara me përkushtim e me dashuri për këtë vend”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Back to top button