Abdixhiku: Me shpalljen e zgjedhjeve nis një faqe e re për Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot me shpalljen e zgjedhjeve nis një faqe e re për Kosovën.

“Një faqe që nuk shkruhet me mllef, as me frikë, por me një besim të thellë se Kosova mund të jetë më shumë sesa ajo që ka qenë këto vite; sidomos këtë vit.
Sot, për herë të parë pas një kohe të gjatë, pritja ka një fund. Shpresa ka një adresë. Ndryshimi ka një mundësi të vërtetë. Ky ndryshim ështě në dorën tuaj në këtë fundvit të një viti shumë të rëndë; për një fillim të ri.”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Këto deklarata i LDK-së i ka bërë pasi Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë sot Kuvendin dhe ka caktuar datën e zgjedhjeve.

Sipas tij, zgjedhjet e 28 dhjetorit s’janë thjesht për të vendosur kush udhëheq me qeverinë.

“Këto zgjedhje janë për të vendosur se kush jemi ne dhe kush duam të jemi si vend; si popull, si gjeneratë. A jemi të gatshëm të dorëzohemi para lodhjes e vet lojës; apo të ngrihemi, edhe një herë, për ta shkruar vetë të ardhmen tonë. LDK-ja hyn në këtë rrugëtim jo vetëm me programin më serioz, jo vetëm me ekipin më të përgatitur, por me një besim të palëkundur tek qytetari i Kosovës. Tek fuqia e mirësisë, tek përgjegjësia, tek aftësia për të ndërtuar diçka më të madhe se vetvetja. Prandaj ky rrugëtim nuk është vetëm i yni. Nuk është as i një partie. Ky rrugëtim është i gjithë Kosovës; qytetarëve të saj brenda e në mërgatë”, ka shkruar ndër tjerash ai./21Media

Back to top button