Abdixhiku në 14 vjetorin e vendimit të GjND-së për Pavarësinë e Kosovës: Në këtë periudhë ishim krah SHBA-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 14 vjetorin e konstatimit të GjND-së se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë se për këtë vendi i kishte bashkuar njerëzit më profesionistë “në bashkëveprim me miqtë strategjikë”.
“14 vjet nga konstatimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
“Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesional në bashkëveprim me miqtë strategjik, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike.”, ka deklaruar Abdixhiku.
Më tej ai ka shtuar se Kosova, në gjithë këtë periudhë me sfida ishte krah aleancës së pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe miqve të tjerë ndërkombëtar.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces, dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës.”, ka përfunduar ai./21Media