Abdixhiku në Deçan: Gjendja është e rëndë, me fëmijë, gra e burra të shtrirë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Deçanin pas gjendjes emergjente të shpallur si rrjedhojë e helmimit të mbi 1500 qytetarëve.
Abdixhiku ka thënë se gjendja është e rëndë, andaj ka thënë se tanimë nuk është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh, por për ndihmë.
“Sot, me bashkëpunëtorë, vizitova Deçanin pas gjendjes emergjente të shpallur si rrjedhojë e helmimit të mbi 1500 qytetarëve tanë. Të gjithë jemi të brengosur dhe bashkëndjejmë për shëndetin e tyre. Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë. Prandaj, së bashku me Gazmend Muhaxherin, Kryetarin e Pejës, Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit e Kryetarit Ramosaj, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjothashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit”, ka thënë Abdixhiku.
Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e kësaj komune, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar./21Media