​Abdixhiku: Përgjegjësi politike për mafinë energjetike

(Lajm i përditësuar)

​Haradinaj reagon pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për tri vepra penale.

Haradinaj, përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka thënë se ”kjo çfarë po ndodhë në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtëra janë korrupsioni më i keq!”.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

​Abdixhiku: Përgjegjësi politike për mafinë energjetike

Prokuroria Speciale ka arrestuar të mërkurën, Nagip Krasniqin, drejtor i KEK-ut, nën dyshime për korrupsion.

Lidhur më këtë arrestim ka reaguar kryetari i Lidhjes demokratike të Kosovës, Lumir Abdixiku.

“Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj. Mirëmbajtja e thjeshtë e tij s’do të merrte kohë më shumë se dy.

Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!

Kemi kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e gjithë udhëheqjes së KEK-ut – militantë partiak të vendosur nga partia në pushtet – pikërisht për shkak të një skandali si ky që kishte nisur nga korriku i vitit 2022. Ata gjetën mbrojtjen vetëm sepse ishin të partisë. Të njëjtit, pas dëmeve milionëshe ndaj vendit, ndodhen sot në pranga të Policisë.

Tani shkarkimi është i vonshëm. Përgjegjësia politike për vendosjen, mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të mafisë energjetike është domosdoshmëri. Kjo përgjegjësi ka adresë vet Qeverinë”, ka shkruar Abdixhiku.

Krasniqi: Kurti duhet të deklarohet menjëherë për arrestimin e mikut dhe bashkëpartiakut të tij

Pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar duke thënë se kjo është dëshmia më e mirë e asaj që kanë thënë “se Qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor”.

“Kryeminisitri Kurti duhet të deklarohet menjëherë për arrestimin e sotëm të mikut dhe bashkëpartiakut të tij, sepse sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera, që pretendonte se i kupton mirë e që sot po vërtetohet se në emër të tyre janë keqpërdorur miliona euro nga vartësit e tij. Abuzimet e Qeverisë Kurti me tërë zingjirin e sektorit të energjisë, prej prodhimit e deri te konsumi i saj, nuk janë as të rastësishme dhe as pa dashje”, ka shkruar ai në “Facebook.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 100% vitin e kaluar, rritja e dytë për 15% para pak ditësh, pagesa në mënyrë joligjore e mbi 100 milionë eurove për faturat e serbëve në veri, bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, si dhe shitja e lirë e blerja e shtrenjtë e energjisë sipas Krasniqit “lënë dyshime se janë pjesë e një piramide korruptive të krijuar nga Qeveria Kurti e në krye të së cilës qëndron Ambasadori me aktakuzë i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është boshti i aferës më të madhe korruptive rajonale të tregtimit të energjisë dhe shpërlarjes së parave”.

Krasniqi tutje ka thënë se tani po vërtetohen edhe takimet sekrete që Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar sot, kishte muaj më parë me Ambasadorin Martin Berishaj dhe tregtarë të tjerë të energjisë në Zagreb.
I par ii PDK-së ka ftuar Prokurorinë e Kosovës dhe të gjitha organet përgjegjëse që me seriozitetin më të lartë ta procedojnë rastin e sotëm.

Hoti pas arrestimit të Nagip Krasniqit: Duket se KEK-u paska rrjedhur shumë

Prokuroria Speciale ka arrestuar drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshime për korrupsion.

Lidhur më këtë arrestim ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Thonin: “E kemi ndalur gjakderdhjen financiare në ndërmarrjet publike.” Duket se KEK-u paska rrjedhur shumë. Nga Trusti Pensional, gjakderdhja financiare po vazhdon tash e tre muaj. Mashtruesit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Rukiqi: Rasti i KEK-ut paralajmëron shpërthimin masiv të korrupsionit

Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka renditur katër akuza për aferë korruptive në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas bastisjes së sotme atje dhe pas arrestimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Sipas tij, është negociuar një tender dhe është nënshkruar brenda katër ditësh, me vlerë prej 3.4 milionë eurosh, me një biznes individual.

Rukiqi beson se është vonuar qëllimshëm riparimi i një Blloku të Termocentralit “Kosova A”.

“Vonesa të qëllimshme në remontin e Termocentralit ‘Kosova A’, për të trashur xhepat e Martin Berishajt, nga rritja e paparashikuar e importit te energjisë elektrike”, ka shkruar Rukiqi.

Ai tutje shkruan se, “rasti korruptiv në KEK është vetëm një nga rastet e zbuluara, që paralajmëron shpërthimin dhe shpërfaqjen masive të korrupsionit të kësaj qeverisje”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme./21Media

Back to top button